Nga kontratat me institucionet arsimore deri te dokumentet e pagesave për kurset e gjuhëve të huaja, administrata tatimore ka sqaruar se janë dokumentacioni që do të ruhet dhe që justifikon shpenzimet për arsimimin e fëmijëve nën 18 vjeç.
Nga marsi 2026, prindërit më të ardhura vjetore bruto më pak se 1,2 milionë lekë do t’u njihen 100 mijë në vit shpenzime për arsimimin e fëmijëve. Pavarësisht numrit të fëmijëve vlera e shpenzimeve që do të zbriten nga totali i të ardhurave vjetore do të jetë 100 mijë lekë.
Nëpërmjet rubrikës “Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve 2025”, Administrata Tatimore ka sqaruar se shpenzimet do të njihen përmes plotësimit të DIVA deklaratës vjetore të të ardhurave që për të ardhurat e siguruara në 2025, deklarimi bëhet në muajin mars 2026. Po ashtu kjo kategori duhet t’i ketë të dokumentuara shpenzimet nëpërmjet kontratave me institucionet arsimore apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja.
“Në ligjin nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar neni 22 “Zbritjet nga baza tatimore”, pika 2 përcaktohet se, tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1 200 000 lekë mund të zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100 000 lekë. Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
Dokumenti që do të ruhet dhe që justifikon deklarimin në Deklaratën Individuale vjetore përcaktohet në pikën 23.1 të udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar dhe është kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.
Sa më sipër, zbritjet e kësaj kategorie do të aplikohen për të ardhurat e tatueshme të vitit 2025 (deklarim i të cilave bëhet brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës)”, kanë sqaruar Tatimet.
Kontratat apo dokumentet e tjera për njohjen e shpenzimeve nuk do të ngarkohen elektronikisht në momentin e plotësimit të DIVA, por ato nevojiten të ruhen në raste të kontrollit tatimor.
Por kujdes njohja e shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve të moshës nën 18 vjeç do të sjellë kompensim nëpërmjet rillogaritjes së tatimit. Të ardhurave vjetore bruto nën 1,2 mln lekë do t’u zbritet shpenzimi prej 100 mijë lekë. Pas zbritjes së shpenzimeve baza e tatatueshme , pra totali i të ardhurave vjetore bruto të deklaruara në DIVA do të jetë më i ulët, çka automatikisht edhe tatimi do të jetë më i ulët.
Ndërkohë tatimi për të ardhurat për 2025 është paguar. Rimbursimi apo kompensimi q3ë përfitojnë prindërit do të jetë diferenca e krijuar nga rillogaritja e tatimit. Kjo diferencë apo tepricë do të kërkohet brenda 3 muajsh te tatimit për kompensim, pas dërgimit të kërkesës.
DIVA për të ardhurat e 2025-s do të plotësohet më 31 Mars 2026, teksa pritet edhe nga Ministria e Financave miratimi i një udhëzimi për përcaktimin e procedurave./monitor.al