Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka kërkuar ndihmë nga Shqipëria përballë sfidave që Prishtina sipas tij ka nga Serbia në raport me masat e padrejta të vendosura, referuar sanksioneve nga BE.
“Sot pata kënaqësinë ta mirëpres në një takim vëllazëror Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, dhe zëvendësambasadoren znj. Pranvera Teli.
Ambasadorit Malaj i shpreha përgëzimet e veçanta për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe i përcolla urimet më të përzemërta për këtë hap të rëndësishëm për shtetin shqiptar.
Bashkë në takim diskutuam për idenë e krijimit të një Zyreje Ndërlidhëse mes kuvendeve tona, që do ta forconte komunikimin, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin institucional mes shteteve tona në raport me zhvillimet në kohë reale.
Po ashtu në bisedë nënvizova rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe e urova ambasadorin Malaj për hapjen e katër kapitujve në negociatat e Shqipërisë me BE, arritje kjo e çmuar për mbarë kombin tonë.
Më tej kërkova edhe mbështetje të vazhdueshme përballë sfidave që Kosova ka nga Serbia dhe në raport me masat e padrejta të vendosura ndaj vendit tonë.
Ambasadorin Malaj e falënderova për angazhimin e tij dhe theksova nevojën për sinkronizim edhe më të madh mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që së bashku të avancojmë agjendën evropiane dhe të përballojmë sfidat e përbashkëta rajonale” tha Dimal Basha.