Paraditen e djeshme Besmir Likaj shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan dhe Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i një prokurori të SPAK janë konfliktuar së bashku.
Sipas njoftimit të policisë punonjësi i policisë rrugore Besmir Likaj ka qenë duke ushtruar patrullim në vijim të detyrës së tij, përgjatë segmentit rrugor nga rrethi i 1 Majit deri te rrethi i Postës, në Tiranë.
Në momentin që ai ndodhej pranë rrethit të Postës, është sinjalizuar nga Mateo Ademi të ndalonte mjetin. Oficeri Likaj ka ndaluar mjetin dhe menjëherë pas kësaj është përballur me një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit, i cili dyshohet të ketë përdorur fjalor kanosës.
“Sipas deklarimeve dhe pamjeve filmike të qarkulluara në rrjetet sociale, Mateo Ademi ishte i veshur me të zeza dhe mbante në brez, në krahun e djathtë, një armë zjarri (pistoletë), e cila ishte e dukshme dhe e pambuluar gjë që ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës.
Nga materiali filmik i publikuar në rrjete sociale dallohet qartë se oficeri Besmir Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës së tij.
Ngjarja është në ndjekje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në administrim të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe deklaratat e palëve dhe materialin video”, thuhet në njoftimin e policisë.