Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet që ka përmbushur kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025.
Në Raportin e Transparencës Fiskale të publikuar më 19 shtator, Shqipëria renditet mes 71 shteteve që kanë plotësuar kriteret për publikimin dhe besueshmërinë e dokumenteve buxhetore, kontratave dhe licencave publike.
Nga gjithsej 140 vende të analizuara, 69 nuk i kanë përmbushur standardet, por 26 prej tyre kanë bërë përparime të konsiderueshme drejt rritjes së transparencës.
Raporti thekson se transparenca fiskale luan një rol kyç në forcimin e llogaridhënies dhe në ndërtimin e besimit të qytetarëve dhe tregjeve ndaj institucioneve shtetërore.
Vlerësimi pozitiv për Shqipërinë shihet si një hap domethënës drejt qeverisjes më të përgjegjshme dhe të hapur ndaj publikut.