Shtëpia e Bardhë njoftoi se në marrëveshjen në proces për TikTok, gjashtë nga shtatë anëtarët e bordit drejtues në SHBA do të jenë amerikanë.
Zëdhënësja Caroline Levitt bëri me dije se mbikëqyrja e të dhënave dhe privatësisë do të menaxhohet nga kompania amerikane Oracle, e cila do të ketë rol kyç edhe në kontrollin e algoritmit të platformës.
Kjo marrëveshje pritet të finalizohet në ditët në vijim, ndërsa negociatat vijnë në një kohë kur ligji amerikan parashikon ndalimin e TikTok për arsye sigurie kombëtare.
Presidenti Donald Trump ka kërkuar transferimin e operacioneve amerikane të TikTok te investitorë amerikanë për të ruajtur platformën në SHBA.
Nga Kina, pas bisedës mes Trump dhe Xi Jinping, nuk ka pasur sinjale konkrete për marrëveshjen, por Pekini ka kërkuar një mjedis biznesi të drejtë dhe të hapur për kompanitë kineze.