Pas katër vitesh në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ulsi Manja i kalon zyrtarisht stafetën Besfort Lamallarit, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm të angazhimit të tij në reformën e drejtësisë dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, Manja shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin me Kryeministrin Edi Rama dhe besimin e tij se Lamallari do të vazhdojë me sukses rrugën e nisur, duke përqendruar sërish energjitë drejt një qëllimi madhor: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kalim stafete, por kauza mbetet e njëjtë!
Sot përfundon zyrtarisht mandati im si Ministër i Drejtësisë. Katër vite intensive në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete – me sfida të mëdha dhe përvoja të vyera. Falenderoj veçanërisht Kryeministrin për besimin dhe mbështetjen, dje si Ministër dhe sot si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend.
Stafetën e Ministrit të Drejtësisë e merr miku im Besfort Lamallari, një kontributor i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Jam i bindur se ai do ta çojë më tej punën e nisur dhe do të ngrejë në një stad të ri arritjet tona, ku “qershia mbi tortë” mbetet hapja e negociatave për grupkapitujt themelorë.
Jam thellësisht mirënjohës stafit të përkushtuar të Ministrisë së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë. Nga sot, kontributin tim do ta jap nga një këndvështrim tjetër – si Kryetar i Komisionit të Ligjeve – në kodifikimin dhe përputhjen e legjislacionit tonë me atë të BE-së.
Postet ndryshojnë, por kauza mbetet e njëjtë: Shqipëria 2030 në BE.