Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një intervistë tha se zgjedhje e reja parlamentare janë të pashmangshme dhe mund të mbahen në fund të vitit 2025.
Çitaku u shpreh se në krizën aktuale politike, zgjedhjet e reja janë të paevitueshme. Ajo tha se në fillim duhet të pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese se çfarë hapa duhet të ndërmerren për Kuvendin e Kosovës.
“Në momentin në të cilin jemi, konsideroj që zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj prej kur jemi pa institucione, por i ka humbur vite të tëra. Në vazhdimësi ka vendosur popullizmin në vend të qeverisjes së përgjegjshme dhe në vend të koordinimit me aleatët, gjithmonë ka zgjedhur konfrontimin…22:16 Fillimisht duhet të presim të shohim se çfarë do të na thotë Gjykata Kushtetuese dhe cilët janë hapat që parashihen të merren nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mirëpo, siç e lexoj situatën deri më tani, duket që do të jetë teknikisht e pamundur që ato zgjedhje të reja parlamentare të organizohen para përfundimit të balotazhit (në zgjedhjet lokale). Zgjedhjet e reja parlamentare, natyrisht, në bazë të afateve kalendarike, mund të ndodhin kah fundi i vitit”, tha ajo në një intervistë në KosovaPress.