Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do ta lidhë njohjen e shtetit palestinez me lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza.
Në një intervistë për CBS, Macron tha se hapja e ambasadës franceze në Palestinë do të jetë e kushtëzuar nga lirimi i tyre.
Ai theksoi se ky është një parakusht i rëndësishëm brenda procesit të paqes dhe njoftoi se Franca do të njohë zyrtarisht Palestinën në samitin e Kombeve të Bashkuara më 22 shtator.
Në të njëjtën kohë, Macron kritikoi ashpër operacionet ushtarake izraelite në Gaza, duke shprehur shqetësim për viktimat civile dhe duke kundërshtuar planin e evakuimit masiv të banorëve të Gazës.
Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte i papranueshëm dhe do të përkeqësonte situatën.
Ndërkaq, vende si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë bërë tashmë njohjen e Palestinës si shtet të pavarur, duke shënuar një hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Macron nënvizoi se Franca synon të vazhdojë të mbështesë një zgjidhje paqësore dhe të drejtë për konfliktin në Lindjen e Mesme.