Në një zhvillim të fundit Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet nesër për të diskutuar një kërkesë të paraqitur nga këshilltarët socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kjo mbledhje e cila fillimisht ishte planifikuar për sot, është shtyrë për nesër në orën 10:00.
Kërkesa për shkarkimin e Veliajt ka të bëjë me një shkelje të Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, specifikisht me paragrafet që lidhen me mosparaqitjen në detyrë për një periudhë të gjatë.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2025, është akuzuar nga SPAK për disa raste korrupsioni dhe shpërdorimi pushteti.
Ndërkohë, kryebashkiaku ka kërkuar që të dëgjohet para se të merret një vendim për shkarkimin e tij, megjithatë nuk është ende e qartë nëse ai do të lejohet të marrë pjesë në mbledhje.
Avokatët e tij ende nuk kanë dorëzuar kërkesën për leje nga Drejtoria e Burgjeve për pjesëmarrje në mbledhje.
Pritet që çështja të diskutohen gjatë seancës të nesërme, dhe të bëhet një vendimmarrje përpara se të kalojë në Këshillin e Ministrave për aprovim.
Letra:
I nderuar Kryetar,
“Në vijim të kërkesës suaj për t’u njohur, dëgjuar, mbrojtur dhe për të dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ju informojmë se mbledhja do të zhvillohet ditën e martë, më datë 23.09.2025, ora 16:00.
Në rast se nuk do të jeni i pranishëm fizikisht në mbledhje, ju lutemi që observacionet tuaja t’i dorëzoni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije gjatë mbledhjes”, thuhet në shkresën e firmosur nga sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Behar Zeneli.