Më 23 shtator 1945, në Vlorë, u mblodh Kongresi Antifashist i Popullsisë Çame, i cili shënoi një moment të veçantë në historinë e Krahinës Shqiptare të Çamërisë. Ky Kongres, pasues i natyrshëm i Këshillit Antifashist dhe Komitetit Çam, miratoi platformën politike të pas Luftës së Dytë Botërore të popullsisë çame dhe vijoi të sensibilizojë opinionin e huaj për dëbimin me gjenocid të shqiptarëve myslimanë (çamët) nga trojet e tyre mijëravjeçare nga Qeveria greke, dënoi mizoritë e Napolon Zervës dhe spastrimin etnik, theksoi kërkesën për kthimin e çamëve në trojet e tyre, rikthimin e pronave, sigurimin e të drejtave të barabarta me qytetarët grekë dhe riafirmoi pjesëmarrjen e tyre në Luftën Antifashiste me Frontin Nacional-Çlirimtar dhe Ushtrinë Popullore Çlirimtare Greke (EAM/ELAS). Kongresi apeloi Konferencën e Paqes në Paris dhe organizatat ndërkombëtare, që çështja çame të njihej si një padrejtësi, që duhej korrigjuar.
KOMITETI ANTIFASHIST I EMIGRANTËVE ÇAMË
Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë, në mbledhjen e parë, më 1 nëntor 1945, zgjodhi Musa Demin kryetar. Musa Demi ishte një nga prijësit më të njohur të popullsisë shqiptare të Çamërisë me autoritet moral dhe politik të patjetërsueshëm në mbrojte të interesave të shqiptarëve të Çamërisë kundër politikave nacional-raciste shtetërore greke të pastrimit etnik përmes krimit dhe gjenocidit. Ai ishte një veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, atdhetar e luftëtar për pavarësinë e Shqipërisë, për çlirimin kombëtar dhe për përhapjen e arsimit dhe librit në gjuhën shqipe. Lidhi përpjekjet e atdhetarëve të Çamërisë me figurat e shquara të kombit, si: Bajo e Çerçiz Topulli, Namik Delvina, Themistokli Gërmenji etj.. Në vitet 1905-1908, ngriti në Filat një degë të Komitetit shqiptar “Për Lirinë e Shqipërisë”, me pikësynim përhapjen ideve të çlirimit kombëtar dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme popullore për të shpëtuar vendin nga zgjedha dhe errësira në të cilën ndodhej. Punoi për ngritjen dhe mbrojtjen e shkollave shqipe dhe klubeve patriotike në Filat e në shumë fshatra të Çamërisë. Bashkëpunoi me disa organe të shtypit shqiptar, si: “Gazeta Liria” (Selanik), “Dielli” (Boston), “Bashkimi i Kombit” (Manastir), “Shkumbini”, “Flamuri”, etj. Në vitin 1908 boton në Janinë gazetën “Zgjimi”, ku ishte kryeredaktor dhe Drejtor Përgjegjës. Me shkrimet e veta, luftoi shovinizmin fqinj dhe ishte ndër të parët, që bëri të njohur, brenda e jashtë vendit, lëvizjen kombëtare shqiptare në Çamëri. Në korrik 1911, në Kuvendin e Manastirit të Cepos, zgjidhet anëtar i Përfaqësisë së Kryengritësve të Jugut (Çamërisë, Labërisë dhe të gjitha kazave të vilajetit të Janinës). Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte për të fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare, prej Rrafshit të Dukagjinit e deri në Çamëri. Pas aneksimit të Çamërisë nga Greqia dhe në periudhën midis dy luftërave zhvilloi një veprimtari të pareshtur kundër politikës të qeverisë greke për pastrimin etnik të Çamërisë nga popullsia shqiptare, që nis nga Presidenti i Greqisë dhe përfshin kryeministrin, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Brendshëm dhe të gjitha strukturat shtetërore greke të urdhëruara për kryerjen e shpërnguljes; Komisionin Miks, Lidhjen e Kombeve; përfaqësuesit e vendeve të akredituara në Greqi dhe personalitete ndërkombëtare; po kështu, me Ahmet Zogun, Kryetar i Republikës të Shqipërisë. Këtu përmendim veprimtarinë dhe bashkëpunimin e ngushtë me ambasadorin e Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri, përkrahës dhe luftëtar i palodhur i çështjes çame, si dhe me personalitete shqiptare mjaft të njohura, si Faik Konica e shumë të tjerë. Falë këtyre përpjekjeve, në shkurt 1926, qeveria greke kumton vendimin për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga shkëmbimi i detyrueshëm dhe shpërngulja e dhunshme për në Turqi.
VEPRIMTARIA E KOMITETIT ANTIFASHIST TË EMIGRANTËVE ÇAMË DHE QEVERIA SHQIPTARE
Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë (Komiteti) nën drejtimin e Musa Demit, pos Konferencës së Paqes në Paris, i është drejtuar: Shtabit të Aleatëve në Mesdhe, Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleatë në Londër dhe Moskë, personaliteteve të shteteve aleate që vizituan Shqipërinë dhe Greqinë (përmendim këtu Nënministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, McNeil, apo deputetin laburist, Hugh Lester Hutchinson; Misioneve Aleate pranë Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe Përfaqësuesve të Aleatëve në Tiranë; Asamblesë të Kombeve të Bashkuara dhe Administratës për Ndihmë dhe Rimëkëmbje, UNRRA; Kryqit të Kuq; Komitetit Qendror të EAM-it, Qeverisë dhe Institucioneve Greke, Kryeministrit Papandreu dhe Sofuli; personaliteteve më të larta të Qeverisë të Shqipërisë, Fronti Demokratik Shqiptar, Shoqërisë Çame në ShBA; gazetave brenda dhe jashtë vendit, sidomos në diasporën amerikane, në disa raste edhe gazetarëve të veçantë turq dhe amerikanë; Stacioneve Radiofonike brenda dhe jashtë Shqipërisë etj.. Po kështu, organizoi takime dhe vizita pranë qeverisë greke, komandës së Ushtrisë Çlirimtare Greke, përfaqësuesve të vendeve aleate, si dhe me personalitete të ndryshme në Tiranë dhe në Athinë. Nëpërmjet peticioneve, memorandumeve, letrave, telegrameve, shkrimeve të botuara brenda dhe jashtë vendit, koleksioneve me fotografi, Komiteti informoi dhe denoncoi masakrat e dhunshme, që bandat zerviste të mbështetura nga qeveria greke kryen tek shqiptarët e Çamërisë gjatë 1944-1945 me synim spastrimin etnik, plaçkitjet, djegien e shtëpive dhe te fshatrave të myslimanëve shqiptarë. Këto fakte shoqëroheshin me të dhëna statistikore dhe një pasqyrë të shkurtër të mjerimit, që përjetonin çamët e shpërngulur, të cilët mundën ta mbanin shpirtin gjallë në sajë të ndihmave bujare të popullatës vendëse. Me këtë veprimtari Komiteti kërkonte riatdhesimin e popullit çam në vatrën e tyre mijëravjeçare dhe kthimin e pronave te grabitura; sigurimin e të drejtave të barabarta me ato që gëzonte minoriteti grek në Shqipëri, si dhe dënimin e kriminelëve shovinistë grekë. Greqia të detyrohej të respektonte parimet universale mbi liritë dhe të drejtat e minoritetit shqiptar. Komitetit i argumentonte kërkesë e veta si një të drejtë të natyrshme, që u mohohej padrejtësisht nga qeveria greke dhe si një detyrim i zbatimit të vendimeve të tre aleatëve të mëdhenj në Konferencën e Teheranit, Jaltës dhe Podsdamit. Po kështu, Komiteti protestoi hapur ndaj misioneve aleate, që nuk interesoheshin seriozisht për t’u njohur me të vërtetën dhe u bëhej thirrje t’i kushtonin vëmendjen e duhur çështjes çame dhe të angazhoheshin për zgjidhjen e saj. Veprimet e ndërmarra nga Musa Demi si kryetar i Komitetit ndeshën me reagimin e menjëhershëm të Qeverisë shqiptare. Ministria e Punëve të Jashtme (E. Hoxha, A XVIII, 337/VIII, dt. 27.12.1945) i tërhiqte vëmendjen se për çdo veprim që do të ndërmerrte Komiteti, së pari, duhej ta konsultonte me zyrtarët shqiptarë dhe më pas të përcillej nga kanalet e diplomacisë shqiptare. Kësisoj, Ministria e Jashtme filloi të kufizojë apo të bllokojë komunikimin e Komitetit me forumet apo personalitetet që e kishin për detyrë dhe që mund të ndikonin në zgjidhjen e çështjes çame, këtu përmendim memorandumin drejtuar Konferencës së Ministrave të Punëve të Jashtme të Forcave Aleate në Londër dhe Moskë, mbledhjes së Asamblesë të Kombeve të Bashkuara në Londër, Kryeministrit të ri të Greqisë Sofulit, etj.. Tirana zyrtare nuk kishte të drejtën institucionale, juridike dhe morale të kryente veprime të tilla, edhe për faktin se Komiteti ishte një organizatë politike, që përfaqësonte një komunitet që kishte ardhur në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit e që i përkiste një nënshtetësie të huaj, greke. Musa Demi vërente me dhimbje e dëshpërim se përpjekjet për të zbardhur të vërtetën e tragjedisë çame në rrugë diplomatike, në më të shumtën e rasteve, pengohej nga brenda dhe jashtë. Protestave të tij, Enver Hoxha i përgjigjej se nuk i shihte të arsyeshme dhe tërhiqte vëmendjen se Komiteti nuk ishte i pavarur në veprimet e tij.
KONFERENCA E PAQES NË PARIS, 29 KORRIK – 15 TETOR, 1946
Përparësia kryesore e Shqipërisë në Konferencën e Paqes ishte njohja e sovranitetit, sigurimi i kufijve dhe çështja e Çamërisë. Në fillim, Shqipëria nuk u pranua si palë negociuese, por si pjesëmarrës me e kufizim: mund të bënte ndërhyrje të kufizuara, por nuk kishte të drejtë të parashtronte kërkesa të plota territoriale, kompensime apo dëmshpërblim për Çamërinë. Më 21 gusht 1946, Enver Hoxha mbajti një fjalim në seancën plenare të Konferencës, ku ngriti çështjen e padrejtësive ndaj shqiptarëve, iu kundërvu pretendimeve ekspansioniste greke për territore (Vorio Epirin) dhe kërkoi drejtësi për Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë fjalim ai përmendi terrorin që ushtruan bandat zerviste kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe vuajtjet e refugjatëve shqiptarë. Megjithatë, kërkesa shqiptare u anashkalua. Në vitin 1947 Shqipëria fitoi të drejtat e plota si fuqi fitimtare dhe u konsolidua në sistemin ndërkombëtar të pasluftës. Por, pas kësaj, Enver Hoxha e shmangu çështjen çame sepse, sipas tij, këmbëngulja për Çamërinë do ta përballonte me Greqinë dhe Britaninë e Madhe. Në këto kushte, Musa Demi i kërkoi Enver Hoxhës që në delegacionin shqiptar të përfshinte edhe një përfaqësi çame për të paraqitur para Fuqive Aleate kërkesën për kthim dhe kompensim, por Kryeministri Hoxha nuk e pranoi këtë propozim. Këtu ngre krye një kontradiktë: nga njëra anë Shqipëria tregon padrejtësitë e Greqisë; nga ana tjetër, refuzoi që çamët të kishin një zë të drejtpërdrejtë në arenën ndërkombëtare. Ky qëndrim konsiderohet për çështjen çame si shansi historik i humbur. Publikisht, Hoxha vazhdoi ta paraqiste Shqipërinë si mbrojtëse të çamëve, po heshturazi filloi të censurojë Komitetin, sepse nxirrte në pah një çështje kombëtare dhe humanitare, që ai nuk mund ta zgjidhte pa rrezikuar interesat e tij të përkohshme dhe që, njëherazi, sfidonte monopolin e tij politik. Ai filloi ta shikonte Komitetin si rrezik dhe nis ta luftojë me synim shkatërrimin e tij për disa arsye: Enver Hoxha kërkonte marrëdhënie të mira me Greqinë dhe çështjen çame e shihte si burim tensioni, që rrezikonte prishjen e këtyre marrëdhënieve. Kërkesat e Komitetit binin ndesh me strategjinë komuniste të Hoxhës për t’u rreshtuar ngushtë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, që këshillonin të mos e ngrinte çështjen çame. Londra dhe Moska kishin interesa më të gjera me Athinën, e cila akuzonte qëllimisht çamët për bashkëpunim me okupatorin. Hoxha i druhej propagandës greke se mos e cilësonte si mbrojtës të “kolaboracionistëve”. Kësisoj, pas 1947-ës, çështja çame u mënjanua pothuajse plotësisht nga politika e jashtme shqiptare. Ajo përmendej vetëm në mënyrë propagandistike kur i duhej Tiranës.
SIGURIMI I SHTETIT
Në kuadrin e luftës së klasave dhe gjyqeve speciale, Sigurimi i Shtetit (Sigurimi) filloi të arrestonte çamë të pafajshëm, qytetarë të ndershëm dhe luftëtarë kundër pushtuesve nazistë, që nuk ishin implikuar në asnjë krim politik, por kishin marrë në mbrojtje shumë të krishterë, të cilëve u kishin shpëtuar jetën, nderin dhe pasurinë. Mbrojtja e ethshme që u bënte Musa Demi dhe Vehip Demi si drejtues të Komitetit dhe të Këshillit Çam, Sigurimi i konsideroi si veprime në mbrojtje të elementit armik dhe kundërshtarëve të pushtetit popullor. Në janar të vitit 1947, Sigurimi improvizoi një organizatë tradhtare, që kishin krijuar çamët në Sarandë me qendër në Tiranë dhe që bashkëpunonte me elementë armiqësorë brenda vendit, si dhe me çamë, që ndodheshin në Greqi. Më 15 mars 1948, Sigurimi i dërgon qeverisë një informacion të gjatë për problemin çam, që mbështetej tek deklaratat e rreme antishqiptare të komandantit të xhandarmërisë së Janinës, seksionet informative dhe shtypi nacionalist grek, ku raportonte se një numër i konsiderueshëm çamësh kishin bashkëpunuar me pushtuesit dhe kishin bërë krime lufte. Vëmendje e posaçme i kushtohej edhe “parisë”, ndaj së cilës akuzat ishin më të rënda, si: këta nuk e shikojnë me sy të mirë pushtetin dhe reformat ekonomike, flasin keq… kjo klikë, thuhet më tej, ka ndikim të madh dhe predikon, që çamët të mos e ndihmojnë pushtetin popullor. Në këtë raport, Musa Demi paraqitej si element i rrezikshëm dhe kundër pushtetit popullor. Kësisoj, ai dhe kolegët e vet u vunë nen akuzë dhe survejim të plotë të Sigurimit të Shtetit.