Prokuroria e Korçës sekuestroi pasuritë e një personi dhe familjarëve të tij pas dyshimeve se të ardhurat e krijuara kanë ardhur nga aktiviteti kriminal.
Pasuritë janë në pronësi të familjes Buliçka, dhe që sipas organit të akuzës, dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës në Spanjë dhe Itali nga Edri Buliçka.
Në një njoftim për mediat, thuhet se “pas një hetimi të thelluar disa vjeçar u arrit në përfundimin se ekziston dyshimi i bazuar në prova se shtetasi E.B. të ardhurat e realizuara nga aktiviteti kriminal në trafikun e narkotikëve në Itali dhe Spanjë i ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajshme në emër të tij dhe familjarëve të tij në vlera të konsiderueshme parash”.
Gjithashtu, prokuroria thotë se nga informacionet e administruara, rezulton se Edri Buliçka deklaron se është i punësuar si kamarier në fshatin Udënisht të Pogradecit, por nga verifikimet e kryera rezulton se nuk është i punësuar fare në këtë subjekt dhe regjistrimi është fiktiv.
Po kështu, nëna e tij, Edri Buliçka ka regjistruar një aktivitet tregtar “Shitje online”, që prej muajit Dhjetor 2021 e në vazhdim. Nga të dhënat e këtij subjekti, vihet re se adresë e ushtrimit të aktivitetit është adresa e shtëpisë.
Nga hetimet e prokurorisë, “rezultoi se këta shtetas nuk justifikojnë pasuritë e krijuara me të ardhura të ligjshme dhe se ky shtetas pretendonte se kishte të ardhura nga puna si kamarier, por në të vërtetë referuar edhe raporteve të shërbimit nuk rezulton të ketë qenë ndonjë herë i punësuar.
Transaksionet bankare të kryera prej tij ndër vite paraqiten në vlera të konsiderueshme shumash monetare në lek dhe valutë të huaj, për të cilat nuk justifikohet burimi i krijimit”.
Hotel, apartamente dhe truall
Për sa më sipër, si dhe bazuar në nenin 274, pika 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
-Pasuria me nr.1/516, ZK 8581 në emër të E.B dhe E. B., me një sipërfaqe 152.5 m2, objekti RICH HOTEL në qytetin e Pogradecit.
-Pasuria me nr.12/311, ZK 8581 e llojit truall, me sipërfaqe 965m2, blerë nga shtetasi E. B;
-Pasuria me nr.8/88, ZK 8581, e llojit truall, në pronësi të shtetasve E.B dhe E.B;
-Pasuria me nr.4/82+3-11, ZK 3664 e llojit apartament në pronësi të shtetases E. B; dhe
-Pasuria me nr.1/374+2-19, ZK 8581 e llojit apartament, në pronësi të shtetasit E. S. dhe E. B.;
Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive” mbi subjektet tregtare, si më poshtë vijon:
-Subjekti tregtar “Rich Hotel” sh.p.k, me NIPT M54128601F, me objekt veprimtarie Bar Hotel, ortak dhe administrator E. B.,.
-Subjekti tregtar “E. B.”, Person Fizik, me NIPT M34312602G, me objekt aktivitet shitblerjes së automjeteve rrugore të përdorura me motor apo rimorkiot e tyre, import-export autovetura dhe mallra të ndryshme dhe shërbim parkingu;
-Subjekti tregtar “E. B.”, Person Fizik, me NIPT M34324601M, me objekt aktiviteti servis makina dhe dhënie me qira, me status aktiv;
Makinat e sekuestruara
Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive” mbi pasuritë e luajtshme, si më poshtë vijon:
-Automjeti i markës Mini Cooper, në pronësi të shtetasit E.B;
-Automjeti i markës “Ford”, tipi “DYB”, me numër shasie WF05XXGÇ5HM76692, me targë AB001CA, në pronësi të shtetasit E.B;
-Automjeti i markës “DAIMLER CHRYSLER”, tipi S320CDI, me numër shasie WDB2200251A449184, me targa AB001IZ (AB643HZ), në pronësi të shtetasit E.B;
-Automjeti i markës “Mercedes Benz”, tip L608D, lloji kamion, në pronësi të shtetasit E.B;
-Automjeti i markës “DAIMLER BENZ”, tip 611, lloji kamion, në pronësi të shtetasit E.B;
-Automjeti i markës “Audi”, tipi 8R në pronësi të shtetasit D.D.