Gjykata e Posaçme e njohu me masën e sigurisë “arrest në burg” për Sabah Nuzin, i cili dyshohet si ekzekutor i Klevis Lleshit në vitin 2020. Ai dyshohet si ekzekutor kundrejt shumës prej 50 mijë eurosh.
Sipas avokatit të tij Elton Hysenaj, gjatë seancës me dyer të mbyllura ai mohoi përfshirjen në vrasje. Ndërsa mbrojtësi kërkoi pavlefshmërine e komunikmeve në Sky ECC, përmes të cilave SPAK thotë se mundi të hedhë dritë mbi vrasjen për motive gjakmarrje.
Sipas SPAK, Sabah Nuzi e kreu vrasjen kundrejt pagesës për llogari të Aurel Hoxhës alias Kolaverit, i cili dyshohet se e urdhëroi krimin për gjakmarrje, pasi vëllai i tij Agim Hoxha u ekzekutua dhe më u pas dogj në Britaninë e Madhe nga Arben Lleshi, kushëriri i Klevis Lleshit.
Në komunikimet e Sky ECC Aurel Hoxha shprehet një moment se “i rregullova të 4-ërt”, që sipas hetuesve flet për viktimën e katërt në familjen Lleshi, pasi më herët ishin vrarë Xhavit e Hajredin Lleshi dhe zhdukur Artan Lleshi.
Samet Loka, pjesëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha, u la nën masën e arrestit në shtëpi, pasi ndaj tij rëndojnë dyshimet për pastrim parash e grup kriminal.
Kreu i grupit Aurel Hoxha është shpallur në arrati, ndërsa Sajmir Kolaveri që dyshohet se kishte rolin e ndërmjetësit mes tij dhe autorit të vrasjes është arrestuar në Itali dhe pritet ekstradimi.