Gjendja shëndetësore e presidentit rus Vladimir Putin ka rikthyer sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pas paraqitjes së tij në paradën ushtarake të mbajtur në Pekin më 3 shtator. Ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema, deklaroi për “Corriere della Sera” se e kishte parë Putinin të lodhur dhe të ndihmuar gjatë ecjes.
Prej vitesh kanë qarkulluar spekulime për probleme shëndetësore të liderit rus, përfshirë dyshime për kancer apo Parkinson, të mbështetura nga analiza të paraqitjeve publike dhe raportime të mediave. Megjithatë, Kremlini ka mohuar vazhdimisht çdo problem serioz, duke i quajtur këto pretendime të pabazuara.
Në një bisedë me presidentin kinez Xi Jinping gjatë vizitës në Kinë, Putin përmendi temën e jetëgjatësisë, duke përmendur bioteknologjinë si mundësi për të jetuar deri në 150 vjet — deklaratë që për disa është parë si përgjigje indirekte ndaj dyshimeve për shëndetin e tij.