Pano Ruçi babai i një prej viktimave të aksidentit tragjik në Tempi, ndodhet në ditën e 14-të të grevës së urisë, duke kërkuar zhvarrosjen e trupit të djalit të tij për të kryer analiza të plota toksikologjike.
Edhe pse prokuroria ka dhënë leje për identifikim me ADN, Ruçi këmbëngul që kjo nuk mjafton.
Mbrëmjen e së dielës, dhjetëra qytete greke, përfshirë Athinën dhe Selanikun, organizuan tubime në mbështetje të tij, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimat dhe transparencë të plotë për tragjedinë.
Në një fjalim emocional, Ruçi deklaroi: “Nuk jam në grevë urie vetëm për tim bir, por për çdo prind që ka humbur një fëmijë.”
Mjekët që e ndjekin nga afër paralajmërojnë se gjendja e tij shëndetësore është kritike dhe kohëzgjatja e grevës po i rrezikon jetën. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve të veprojnë para se të jetë vonë.