Ministria Daneze e Transportit njoftoi se hapësira ajrore e vendit do të jetë e mbyllur për fluturimet e dronëve civilë nga e hëna deri të premten, për shkak të shtimit të fluturimeve të paidentifikuara mbi Danimarkë.
Kjo masë vjen në prag të samitit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, që do të mbahet më 1 dhe 2 tetor në Kopenhagen.
Kryeministrja Mette Frederiksen i ka cilësuar incidentet si “sulme hibride”, megjithëse deri tani nuk është identifikuar përgjegjësi. Rusia ka mohuar përfshirjen në këto ngjarje. Për sigurimin e samitit, Danimarka ka marrë mbështetje nga ushtria gjermane (Bundeswehri), që do të ndihmojë në mbrojtjen kundër kërcënimeve nga dronët.
Kancelari gjerman Friedrich Merz do të marrë pjesë në takimet në Kopenhagen, ku një prej temave kryesore do të jetë forca e bashkëpunimit evropian në mbrojtjen e infrastrukturës kritike.