Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka depozituar në Kuvend një projektligj që ndalon koncesionet në fushën e trashëgimisë kulturore.
Sipas Zhupës, ligji aktual nr. 27/2018 është në kundërshtim me Konventën e UNESCO-s dhe lejon privatizimin e pasurive kulturore për interesa ekonomike.
Projektligji i ri synon të mbrojë pronësinë dhe administrimin shtetëror, duke ndaluar dhënien e trashëgimisë kulturore në administrim privat përmes koncesioneve ose PPP-ve.
Zhupa thekson se trashëgimia kulturore është pjesë e identitetit kombëtar dhe nuk duhet të trajtohet si mall tregtar.
Postimi i plotë i Zhupës:
Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, kam depozituar në Kuvend projektligjin që ndalon koncesionet në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ky projektligj synon ndryshimin e ligjit nr. 27/2018, i cili është hartuar në mospërputhje me Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (Paris, 1972). Edhe relacioni shoqërues i vetë Këshillit të Ministrave, në kohën kur ligji u miratua, e pranon këtë devijim.
Me këto ndryshime, ku nenet 171–173 janë riformuluar për të mbyllur çdo hapësirë që lejon dhënien në administrim të trashëgimisë kulturore te privatët, përmes formulave si PPP-të apo koncesionet. Ato do të parashikojnë vetëm mundësinë e dhurimeve apo donacioneve, pa cënuar pronësinë dhe administrimin me dominancë shtetërore.
Trashëgimia jonë kulturore nuk është mall tregtar. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e historisë dhe shpirtit të këtij vendi, dhe si e tillë, nuk mund të privatizohet në emër të koncesionarëve për interesa ekonomike.
Si Kryetare e Komisionit të Kulturës, mbetem e vendosur të bëj gjithçka që kjo trashëgimi të mbrohet, të lartësohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm ashtu siç e meriton: e paprekur, dinjitoze dhe frymëzuese.