-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

VIDEO dhe prova/ Zbardhet ekzekutimi i biznesmenit italian

Kryesoret

Zbardhet vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, tre ditë më parë në Salari të Tepelenës. Trupi i pajetë i të ndjerit u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit” pas mesnatës së 26 shtatorit 2025. Policia thotë se autori i dyshuar është Kamber Sulçe 48 vjeç, banues në Mesaplik, Vlorë. Motivet, policia thotë se janë banale.

Hetimet tregojnë se sulmi ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes Kamber Sulçes dhe Sarchit, si dhe shoqëruesve të tij. Sulçe dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska (armë gjahu) ndaj tyre dhe automjeteve të tyre, ku biznesmeni italian humbi jetën.

Gjatë veprimeve u sekuestruan automjetet e viktimës dhe shoqëruesve, dy armë gjahu, automjeti dhe veshjet e përdorura nga autori, si dhe një çantë me dylbi infra dhe termike, mbajtëse arme dhe elektrik dore.

Kontrollet në banesat e Sulçes dhe familjarëve të tij në Mesaplik dhe Vlorë sollën sekuestrimin e rreth 2.5 milionë lekëve (lekë dhe euro), tre armë gjahu me municion, 450 fara të dyshuara kanabisi dhe dy kasaforta.

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE

Salari, Tepelenë/Hetimet e shpejta dhe profesionale çojnë në zbardhjen e autorësisë dhe dinamikës së vrasjes së shtetasit E. S., trupi i pajetë i të cilit u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”, pas mesnatës së datës 26.09.2025.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 48-vjeçar, autori i dyshuar i vrasjes.

Nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë, drejt shtetasit E. S., shtetasve që e shoqëronin atë dhe automjeve të tyre të ndaluara.
Nga të shtënat humbi jetën shtetasi E. S..

Sekuestrohen nga vendngjarja, automjetet e shtetasit E. S. dhe shoqëruesve të tij, si dhe 2 armë gjahu.

Gjithashtu, sekuestrohen automjeti dhe veshjet e përdorura gjatë krimit, si dhe 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu, municion për armë gjahu me saçme, municion për armë me vjaska, 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta.

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale të DPPSh-së, të drejtuar nga Prokuroria e Gjirokastrës, ngritur menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth mesnatës së datës 26.09.2025, në aksin rrugor “Nivicë-Salari”, ku u vra shtetasi italian E. S., 44 vjeç, u mundësua zbardhja e autorësisë dhe rrethanave të rastit.

Konkretisht, u identifikua autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi K. S., 48 vjeç banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari, fillimisht është konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta, me shtetasin E. S. dhe me shtetasit që shoqëronin këtë të fundit. Më pas shtetasi K. S. dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska, në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari.

-Gjatë veprimeve procedurale u sekuestruan nga vendngjarja, automjetet e përdorura nga shtetasi E. S. dhe shoqëruesit e tij, si dhe 2 armë gjahu.

-Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit.
Gjithashtu në këtë zonë, u gjet e hedhur në shkurre, një çantë, në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore.

-Më tej, gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Vlorës, në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, u gjetën rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta (të mbyllura).

Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës dhe me Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, me qëllim kapjen e shtetasit K. S..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit