Një person në Fier do të përballet me akuzën e ngacmimit seksual ndaj një të miture, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria e Fierit.
Sipas dosjes hetimore, i pandehuri Sh.L., aktualisht i ndaluar, ka kryer veprime të përsëritura me natyrë seksuale ndaj vajzës së mitur, duke përfituar nga mosha dhe gjendja e saj sociale.
Ai e ka prekur në pjesë të ndryshme të trupit, i ka dhënë para dhe i ka kërkuar puthje intime.
Pas ngjarjes, e mitura ka njoftuar mësuesen kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social, e referoi rastin në polici.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Sh.L. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ parashikuar nga neni 108/a, pg.2 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.415, datë 01.04.2025, u provua se shtetasi Sh.L., ka kryer veprime konkrete të natyrës seksuale në dëm të të miturës, duke konsumuar elementët e veprës penale “Ngacmimi seksual”, parashikuar nga neni 108/a pg.2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e hetimeve të kryera rezultoi se personi nën hetim Sh.L. me veprime aktive të kundraligjshme, konkretisht prekje në pjesë të ndryshme të trupit, ka cenuar dinjitetin e të miturës duke përfituar nga mosha e re dhe gjendja e saj sociale. Personi i pandehur Sh.L., i ka dhuruar para si dhe ka kërkuar të shkëmbejë puthje intime me të. E mitura pas ngacmimit ka kontaktuar mësuesen e saj kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social përkatës ka referuar rastin në polici.
I pandehuri Sh.L është hetuar me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.