Në Izrael po përjetohet një krizë politike pas miratimit nga kryeministri Benjamin Netanyahu të planit amerikan për Gazën.
Disa bashkëpunëtorë të tij ultra-djathtistë, përfshirë ministrin e Financave Bezalel Smotrich, e kanë cilësuar planin si dështim diplomatik me pasoja serioze, duke paralajmëruar se fëmijët izraelitë mund të përfshihen përsëri në luftë.
Plani amerikan parashikon ndërprerje të menjëhershme të luftës, lirimin e pengjeve izraelite dhe tërheqje graduale të trupave nga Gaza, me krijimin e një “zone sigurie” dhe formimin e një police lokale palestineze të mbikëqyrur nga vëzhgues ndërkombëtarë.
Megjithatë, drejtues ultranacionalistë kundërshtojnë pjesëmarrjen e palestinezëve nga Bregu Perëndimor dhe pranimin e Autoritetit Palestinez në proces, duke kërcënuar me rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme nëse plani zbatohet.