Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, mori pjesë në samitin “Inteligjenca Artificiale në Shëndetësi” në Londër, ku theksoi se teknologjia po sjell një fazë të re në kujdesin shëndetësor global.
Duke mbështetur eksperiencën e saj në imazherinë onkologjike, Sala nënvizoi se Inteligjenca Artificiale do të jetë motor i revolucionit në shëndetësi dhe prezantoi vizionin e qeverisë shqiptare për digjitalizimin e plotë të këtij sektori.
Ajo përshkroi spitalin e së ardhmes si një vend me infrastrukturë teknologjike të avancuar, ku pacienti dhe bashkëpunimi mes njeriut dhe IA-së do të jenë në qendër.
Në panelin e samitit, Sala dha shembuj konkretë si automatizimi i detyrave në radiologji për të lehtësuar punën e klinicistëve. Në ngjarje morën pjesë rreth 300 ekspertë dhe 60 folës nga e gjithë bota, duke ndarë përvoja dhe njohuri mbi potencialin e IA-së në shëndetësi.