I ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj tregoi se pse e dekretoi datën e zgjedhjeve në Tiranë.Presidenti Begaj tha se ka ndjekur të gjithë rrugëtimin kushtetues dhe procedurat juridike që respektojnë Kushtetutën për shkarkimin e Erion Veliajt si dhe për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Begaj shtoi se duke respektuar çdo parim kushtetues ai ushtroi kompetencën e tij për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme.
Bajram Begaj: Unë mendoj që nuk mund të vendoset balancë në gjykimin midis dekretit të Presidentit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar më VKM nga KM pas propozimit të bërë nga këshillit bashkiak, i cili e votat e pozitës dhe opozitës gjeti si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë. Shkak ligjor që është trajtuar gjerësisht në media.
Po kështu Qeveria nga ana e saj në vendimin e shpallur merr në analizë si shkak, jo shkakun politik të lidhur e nenin 115 të Kushtetutës e cila thotë “për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve”, por thotë që shkarkimi nga detyra i kryetarit të bashkisë është bërë me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë. Pra kemi të bëjmë me nenin 62 pika c.
Patjetër që kjo dileme është konsultuar me ekipin tim dhe janë marr në analizë çdo pretendim në media apo i palëve të caktuar A, i cili pas një diskutimi tepër aktiv më siguruan që duke respektuar parimet kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë kompetencën kushtetuese për nxjerrjen e dekretit për zgjedhje të parakohshme. Patjetër me nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme nuk i është mohuar e drejta palëve për të çuar në instancat ligjore çdo pretendim të mundshëm por Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim dhe një vendim i tillë mesa di unë akoma nuk është marrë.








