-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BIRN: Premtime me lugën bosh, shkollat në Tiranë nuk kanë mensa

Kryesoret

Zotimi për futjen e një vakti falas në shkollat 9-vjeçare të Tiranës rrezikon të mbetet sërish në letër, pasi asnjë nga 26 shkollat e reja të ndërtuara në vitet e fundit nuk ka të parashikuara ambiente për mensa.

Në tetor 2024, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se nxënësit e shkollave të Tiranës do të përfitonin një vakt falas me nisjen e vitit të ri shkollor në shtator të këtij viti, pavarësisht të ardhurave të prindërve të tyre.

Premtimi u përforcua nga kryeministri Edi Rama në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, ku nga një podium në “Qytetin Studenti” ai theksoi se ushqimi në shkolla nuk do të futej vetëm në Bashkinë e Tiranës, por edhe në bashki të tjera që funksionojnë si qendra qarqesh.

“Do të vëmë në jetë projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë, që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës,” tha Rama, duke e vlerësuar këtë si një hap drejt transformimit të shkollave në qendra komunitare.

Përfshirja e vaktit të drekës në shkolla është një premtim i vjetër i qeverisë dhe të paktën në Bashkinë e Tiranës, një projekt pilot mbeti në gjysmë të rrugës për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se premtimi rrezikon të mbetet në letër për shumë vite të tjera, pasi shkollat ekzistuese nuk kanë infrastrukturë dhe shkollat e ndërtuara rishtazi nuk kanë të parashikuara ambiente për mensa.

Bashkia e Tiranës i tha BIRN se nga 26 shkollat e reja të ndërtuara në katër vitet e fundit në Tiranë, asnjëra prej tyre nuk parashikonte hapësira për mensa.

“Në projektet e miratuara nuk parashikohet ndërtimi i mensave si dhe nga ana e Drejtorisë së Investimeve, nuk është duke u menaxhuar ndonjë kontratë e veçantë për ndërtimin e mensave në shkolla,” deklaroi Bashkia në një përgjigje me shkrim.

Migen Qiraxhi nga organizata “Qëndresa Qytetare” i tha BIRN se ushqimi në shkolla u përdor si një premtim kryesor në fushatë, pa ndërmarrë masa konkrete për të realizimin e tij.

“Mensat në shkollat e arsimit parauniversitar u përdorën si një nga premtimet kryesore në fushatën elektorale. Megjithatë, në programin qeverisës ky zotim u reduktua, duke u parashikuar të zbatohet vetëm ‘në çdo bashki qendër qarku,” tha Qiraxhi.

Sfidat e infrastrukturës

Premtimet për futjen e ushqimit falas vijnë në një kohë kur arsimi 9-vjeçar, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës, përballet me shumë sfida. Një pjesë e shkollave funksionojnë ende me dy turne në kryeqytet, ndërkohë që zonat e reja të banuara masivisht gjatë viteve të fundit vuajnë mungesën e institucioneve arsimore pranë tyre.

Në shkurt 2025, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit deklaruan se po bënin një studim fizibiliteti për aplikimin e programit të ushqimit në shkolla – por rezultatet nuk janë bërë ende publike.

Sipas ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, mbajtja e premtimit dështoi këtë shtator, pasi nuk u shoqërua me masat përkatëse.

“Hapësirat e gatimit dhe konsumimit të ushqimit duan mjedise të veçanta, higjenike, me dritë dhe të përshtatshme për këtë qëllim. Kjo nuk u bë dhe me shumë gjasa nuk ka mundësi të bëhet,” tha Mehmeti për BIRN.

“Një tjetër mundësi do të ishte edhe një mjedis gatimi qendror, si në rastin e Kosovës, por as kjo nuk ndodhi,” shtoi ai.

Sipas Mehmetit, sistemi arsimor në Shqipëri është jofunksional për shkak të mungesës së vizionit dhe mbështetjes nga qeveria.

“Strukturat e arsimit janë thuajse jofunksionale në mënyrën sesi janë ndërtuar, detyrat që kanë dhe punën që ato bëjnë. Duhet një riorganizm i ri, mentalitet dhe pasion për të ofruar një shërbim arsimor dhe edukativ të niveleve bashkëkohore,” theksoi ai.

Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” thekson se para se të flitet për ushqim falas për nxënësit në shkolla, duhen adresuar sfida të tjera infrastrukturore.

“Pengesa e parë që duhet adresuar është mësimi me dy turne. Vetëm në Bashkinë Tiranë, sipas projeksioneve tona, për të zgjidhur këtë problem duhen ndërtuar të paktën 21 shkolla të reja,” tha Qiraxhiu.

Bashkë me ushqimin falas, kreu i qeverisë premtoi edhe pilotimin e programit “After School”, por Ministria e Arsimit nuk jep afate konkrete.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune dhe bullizmi për sigurinë në shkolla, ka parashikuar si masë pilotimin e programit ‘after school’, që do të përfshijë edhe komponentin e ushqimit që ofrohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore,” tha në mënyrë të përgjithshme Ministria./ BIRN

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit