Në orët e para të mëngjesit të 3 tetorit në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë 36-vjeçari O.A. u paraqit në spital i plagosur në këmbë nga arma e zjarrit, por jashtë rrezikut për jetën. Hetimet zbuluan se ai ishte vetëplagosur aksidentalisht në vendin e quajtur “shkallët e varrezave të dëshmorëve”.
Në momentin e ngjarjes pranë tij ishte edhe shoku i tij, 42-vjeçari G.M., i cili më pas fshehu armën dhe nuk kallëzoi ngjarjen.
Si pasojë, policia arrestoi në flagrancë të dy personat: O.A. për “armëmbajtje pa leje” dhe G.M. për “armëmbajtje pa leje”, “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.
Policia po punon për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.