Shqiptari Pano Ruçi, i cili humbi djalin në aksidentin tragjik të trenave në Tempi, vijon grevën e urisë në Greqi për të 20-ën ditë, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore. Ai kërkon zhvarrosjen e djalit të tij, Denisit, për të kryer analiza toksikologjike dhe për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së tij.
Ruçi deklaron se nuk do të tërhiqet nga greva edhe nëse vdes, dhe i bën thirrje politikanëve të mendojnë si prindër dhe të marrin masa për sigurinë e trenave, të cilët sipas tij, ende qarkullojnë pa masa të mjaftueshme sigurie. Gjendja e tij është kritike, por ai shprehet i vendosur të vazhdojë deri në fund.
“Forca ime ka rënë, por njerëzit që vijnë këtu më japin kurajë”, tha ai.
Ruçi u bën thirrje politikanëve që ta vendosin veten “të paktën për një moment” në vendin e tij.
“Të mendojnë si baballarë dhe nëna, me zemrat e tyre dhe jo me karriget e tyre”, tha ai.
Dy vjet pas aksidentit në Tempi, Ruçi thekson se trenat ende qarkullojnë pa asnjë masë sigurie.
“Do të ulem këtu dhe do të vdes. Nuk do të iki nëse kërkesa ime nuk pranohet. Dua të di se si vdiq fëmija im”, tha ai.