Pas pranimit të planit të SHBA-së nga Hamasi për t’i dhënë fund luftës në Gaza, presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për ndalim të menjëhershëm të bombardimeve nga Izraeli në enklavë.
Në një videomesazh të publikuar në Truthsocial, Trump falënderoi vendet që kontribuan në këtë marrëveshje dhe shprehu shpresën për lirimin e pengjeve dhe rikthimin e tyre në shtëpi te familjet e tyre. Ndërkohë, ushtria izraelite mori urdhër të reduktojë operacionet në Gaza, në përputhje me fazën e parë të planit amerikan.
“Kjo është një ditë shumë e veçantë, ndoshta e pashembullt në shumë mënyra. Dua të falënderoj vendet që ndihmuan: Katarin, Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin, Jordaninë dhe shumë të tjera. Kaq shumë njerëz kanë luftuar kaq shumë. Është një ditë e mrekullueshme. Do të shohim se si do të përfundojë. Duhet ta themi fjalën e fundit për këtë dhe ta bëjmë të ndodhë. Mezi pres që pengjet të kthehen në shtëpi te prindërit e tyre”, tha presidenti i SHBA.