Ngjarje e rëndë në Korçë. Rreth orës 15:20 në lagjen nr. 14 dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte, një vajzë e mitur rreth 14 vjeçe, e cila aktualisht po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit. Jashtë kamerave, nëna e saj ka treguar se të bijën e kanë rrahur dhe bullizuar në lagje.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz.
I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdisin vajzat time. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, shprehet ajo.