Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara, ka reaguar përmes rrjeteve sociale ndaj disa deklaratave të pavërteta dhe shpifëse që kanë qarkulluar së fundmi në media.
Për shkak të këtyre sulmeve, ajo ka pezulluar edhe vendimin për t’u rikthyer në Shqipëri, duke zgjedhur të vijojë jetën dhe karrierën larg vendlindjes.
Simaku thotë se prej rreth 10 muajsh emri i saj po sulmohet nga persona që duan të fitojnë klikime përmes akuzave të pabaza. Ajo i cilëson këto sulme si përpjekje të ulëta që, në fund, vetëm e ulin veten e atyre që i bëjnë.
“Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten,” shkruan artistja, duke kujtuar edhe përvojat e saj të vështira në fillimet e karrierës, kur përballej me zili dhe mllef.
Reagimi i Parashqevisë erdhi pas deklaratave të forta nga Shqipja, e cila në një intervistë shprehu habinë dhe zhgënjimin për thashethemet që qarkullojnë për të në komunitetin shqiptar në Amerikë.
Pas shumë heshtjesh, Parashqevi Simaku ka zgjedhur të flasë hapur, duke theksuar se publiku e njeh dhe respekton për kontributin e saj dhe se sulmet nuk do ta ndalin në rrugën e saj.