Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra pas përfundimit të një seance gjyqësore, ka ardhur një reagim i fortë nga kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia.
Në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj në televizionin Klan News, Haxhia bëri thirrje për reflektim dhe analizë të thellë nga institucionet, duke kërkuar që të merren masa konkrete për sigurinë në gjykata.
Po ashtu, Haxhia bëri apel për një ndërprerje të përkohshme të aktivitetit në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të kryhen analiza serioze dhe të ndërmerren masa të qarta për sigurinë e magjistratëve dhe pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.
“Të mos punohet më! Dy-tri ditë të mblidhen institucionet, të bëjnë analizat dhe të marrin masat!”, tha Haxhia.