Deputeti demokrat Klevis Balliu ka reaguar me tone të ashpra ndaj qeverisë, një ditë pas ngjarjes tronditëse në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore.
Në një deklaratë publike, Balliu e cilësoi vrasjen si provë të rrënimit të rendit dhe sigurisë publike në vend. Ai akuzoi Ministrinë e Brendshme për tentativë për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore dhe morale, duke thënë se policia nuk ka kompetencë të kontrollojë sigurinë në gjykata.
“Kur një gjyqtar ekzekutohet në sallën e gjyqit dhe institucionet vetëm hedhin fajin njëra-tjetrës, kjo tregon se shteti ka dështuar,” tha Balliu.
Deputeti demokrat ngriti alarmin se, nëse drejtësia nuk është e sigurt në ambientet e veta, atëherë askush nuk është.
“Kjo nuk është më një çështje politike, por një alarm për mbijetesën e rendit dhe shtetit. Rënia e sigurisë është rënia e qeverisë,” përfundoi ai.