-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

KLGJ akuzon Ramën: Qeveria na tha se nuk kemi mundësi t’ju ruajmë me policë

Kryesoret

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në Mbledhje të Jashtëzakonshme, për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes, vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë në gjykata.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut.

Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.

Në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtetërore në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.

Me shkresën nr. 5489/1 Prot., datë 02.11.2023, drejtuar Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, Këshilli ka kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.

Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.

Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente:

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”

Në këtë moment të rëndë për sistemin e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.

Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit