Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke bërë premtime të rreme për vende pune dhe përfitime financiare për të ndikuar në rezultatin e votimeve.
Kurti tha se veprimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarëve të tjerë serbë përbëjnë ndërhyrje të përsëritura në procesin zgjedhor.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë këtë ndërhyrje dhe të marrë masa për sanksionimin e Serbisë. Ndërkohë, Vuçiç ka premtuar hapjen e 400 vendeve të reja pune në sistemin shëndetësor në Kosovë, një deklaratë që e ka mbështetur edhe ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar.
Zyrtarët serbë po ashtu i kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës me dokumente kosovare që të votojnë Listën Serbe, parti kjo që ka mbështetjen e plotë të Beogradit. Kryeministri Kurti paralajmëron se fitorja e kësaj liste do të sjellë vazhdim të ndikimit dhe ndihmës financiare nga Serbia në Kosovë.