Në nisje të komisioneve parlamentare u mbajt një minutë heshtjeje për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, një ngjarje që tronditi sistemin e drejtësisë dhe politikën shqiptare. Avokatja e Popullit, Erinda Balanca, ngriti alarmin për gjyqtarët që përballen me presion të madh dhe mbingarkesë dosjesh, duke theksuar se kjo po rrezikon funksionimin e drejtësisë.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e cilësoi ngjarjen si një “kamban alarmi” për sigurinë e punonjësve të drejtësisë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë për dështim në sigurimin e gjykatave, duke theksuar se heqja e policëve nga këto ambiente ka lënë gjyqtarët të pambrojtur.
Deputeti i PS, Ardit Bido, paralajmëroi kundër shfrytëzimit politik të ngjarjes, ndërsa Avokatja e Popullit vuri në dukje edhe problematikat e ndarjes së re gjyqësore, që sipas saj, largon drejtësinë nga qytetarët dhe dobëson besimin tek sistemi.