Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndërtimin e një parku fotovoltaik në Njësinë Administrative Topojë, në Bashkinë e Fierit. Investimi do të realizohet nga kompania “SLR Albania”, në pronësi të Ledian Ruçit, djalit të ish-kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Firma ka përfituar me qira një sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë toke nga Bashkia e Fierit për këtë projekt, i cili ka një vlerë investimi prej rreth 1.2 milionë euro.
Parku do të ketë kapacitet prodhues prej 2 megavatësh dhe do të prodhojë rreth 3,119 MWh energji elektrike në vit. Për realizimin e tij do të instalohen 3978 module fotovoltaike monokristaline bifaciale dhe 10 invertera të markës Huawei. Struktura e paneleve do të ketë lartësi maksimale 2.27 metra, ndërsa kabina elektrike do të jetë me lartësi 3.8 metra dhe do të jetë e lëvizshme.
Lidhja me rrjetin elektroenergjetik do të bëhet përmes një linje nën tokë me gjatësi 100 metra që do të lidhë centralin me nënstacionin ekzistues “Hoxhara e Re”. Për mirëfunksionimin e impiantit do të ndërtohen rrugë ndihmëse me shtresë çakulli, duke përdorur rrugët ekzistuese kufitare të parcelave si bazë.
Ky projekt synon të përdorë burimet e rinovueshme të energjisë dhe të kontribuojë në reduktimin e emetimeve të gazrave që dëmtojnë ambientin. Sipas dokumenteve zyrtare të firmosura nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, investimi do të ketë ndikim pozitiv jo vetëm në ekonominë lokale të Fierit, por edhe në sektorin energjetik të vendit.