Përfaqësues të shërbimeve kundër mashtrimit nga vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, së bashku me zyrtarë të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), po zhvillojnë këtë javë në Tiranë një seri takimesh për të shkëmbyer përvoja dhe praktika më të mira në luftën kundër abuzimit me fondet evropiane.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe evropian për të përmirësuar masat kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, nënvizon se ky angazhim nuk është vetëm për mbrojtjen e fondeve evropiane, por edhe për ruajtjen e financave publike kombëtare dhe forcimin e besimit ndaj institucioneve. Ai shtoi se transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për një administratë efikase dhe të besueshme, si dhe për avancimin në procesin e integrimit në BE.


                                    





