Kryeministri britanik Keir Starmer ndodhet në Indi në kuadër të një vizite zyrtare të shoqëruar nga një delegacion i gjerë biznesesh dhe akademikësh.
Në Mumbai, ai u bëri thirrje drejtuesve të bizneseve që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron marrëveshja tregtare mes Britanisë dhe Indisë, ndërsa përjashtoi mundësinë e zgjerimit të vizave për punëtorët indianë.
Starmer e përshkroi marrëveshjen si një “trampolinë për rritje ekonomike” dhe tha se zbatimi i saj do të jetë prioritet, pasi ul ndjeshëm tarifat për produktet britanike në tregun indian. Ai theksoi se qëllimi i vizitës është konkret: marrëveshje reale dhe kontakte të reja.
Ndërkohë, gjatë vizitës së tij, Starmer pritet të diskutojë edhe me kryeministrin indian Narendra Modi për çështje të tjera përtej tregtisë, përfshirë raportet e Indisë me Rusinë – një pikë potenciale tensioni mes dy palëve.