Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, caktoi 46 monitorues për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik. Numri më i madh i monitoruesve është në Tiranë, me 27 të tillë.
Ndërkohë janë plotësuar vakancat në këshillat bashkiakë të Belshit, Korçës, Divjakës, Maliqit dhe Elbasanit, me kandidatë të propozuar nga PD, koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe PS.
KQZ përcaktoi gjithashtu përbërjen e KZAZ-ve: 3 anëtarë nga PS, 2 nga PD dhe 1 nga Partia e Lirisë. Anëtari i shtatë dhe sekretari do të caktohen sipas rezultatit të shortit: në KZAZ-të me numër tek, anëtari i shtatë do të jetë nga PS dhe sekretari nga PD; në ato me numër çift, anëtari i shtatë nga PD dhe sekretari nga PS. Partitë duhet të dorëzojnë emrat deri më 10 tetor 2025.









