Në orën 20:45, në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit, Serbia dhe Shqipëria përballen për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026. Një ndeshje me ngarkesë të madhe emocionale dhe historike, ku masat e sigurisë janë maksimale.
Përballja konsiderohet me rrezikshmëri të lartë nga FIFA, që ka dërguar dy oficerë sigurie, ndërsa rreth 5000 policë janë të angazhuar për ruajtjen e rendit. Stadiumi nuk do të ketë tifozë shqiptarë dhe biletat janë shpërndarë me ftesa të kontrolluara, kryesisht për akademitë dhe të përzgjedhur nga Federata Serbe.
Kombëtarja kuqezi është në vendin e dytë me 8 pikë, ndërsa Serbia ndjek me 7, por me një ndeshje më pak. Të dyja skuadrat kanë mungesa të rëndësishme. Shqipëria pa Pajazitin dhe Ismajlin, ndërsa Serbia pa disa titullarë si Vanja Milinkoviç-Saviç, Katai dhe Milenkoviç.
Ndeshja do të gjykohet nga rumuni Istvan Kovacs, një nga arbitrat më të vlerësuar të UEFA-s, që sezonin e kaluar gjykoi finalen e Champions League.