Policia e Fierit ka njoftuar zbulimin e një baze kriminale, ku mbahej arsenal armësh, pjesë armësh dhe municioni, me qëllim shitjen te kontigjenti kriminal për kryerjen e krimeve kundër personit.
Sekuestrohen 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak. Policia është informuar nga gazetarë të një emisioni investigativ se një shtetas me të cilin ata kishin komunikuar në kuadër të punës së tyre posedonte pa leje një armë zjarri.
“U lokalizua shtetasi i dyshuar, konkretisht M. R., 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro.
Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale”, lexohet në njoftimin e policisë.








