Juristi Kreshnik Spahiu, i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report TV, komentoi mbi të drejtat e popullit palestinez dhe sfidat që ai përballet në ndërtimin e një shteti të pavarur. Sipas tij, pavarësia kërkon më shumë se vetëm dëshirë politike kërkon kapacitet për vetëqeverisje, organizim institucional dhe aftësi për të ndërtuar marrëdhënie ndërkombëtare.
“A janë këto të rëndësishme? Pa diskutim. Varet se si do të luajë Palestina. Kushdo që na dëgjon, të kuptojë se mes kombeve shtetformuese dhe minoriteteve nuk është çështje numrash. Siç janë kurdët që janë miliona, siç janë romët që janë miliona, por nuk janë kombe që formojnë një shtet.
Elementi i parë i disfavorshëm: nuk janë kompaktë. Një komb i copëzuar, a mund të formojë një shtet? Parimi i vetëvendosjes është një parim bazë — është për t’u vetëvendosur dhe për t’u vetëqeverisur. Duhet të kesh aftësi për marrëdhënie ndërkombëtare. A do të jenë të aftë palestinezët?
Nëse palestinezët do të fillojnë me grupe si ISIS-i apo Hamasi… Duhet të ndërtojnë legjislacionin e tyre dhe të lobojnë për institucione. Ta kalojnë nga një autonomi në një shtet të pavarur. Strategjia e tyre që u përpoqën nëpërmjet forcës konsiderohet e dështuar,” shprehet Spahiu.









