Presidenti Bajram Begaj ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese argumentet se përse vendosi që të dekretojë zgjedhjet e reja të parakohshme në Tiranë. Gjithashtu kreu i shtetit, kërkon që në datë 31 Tetor kur nis gjykimi në themel i ankimit të Erion Veliajt të hiqet edhe pezullimi për zgjedhjet në Tiranë dhe të shpallet moskompetenca.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimi, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Argumentet e Presidentit ne Gjykaten Kushtetuese