Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar vizitën e fundit të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar atë më shumë simbolike sesa me përmbajtje konkrete.
Në një analizë të publikuar, Bushati thekson se vizita erdhi në një moment kur vendet e rajonit janë kthyer në “kandidatë profesionistë”, për shkak të zvarritjes së procesit të integrimit europian. Sipas tij, von der Leyen nuk solli një ofertë të re për rajonin, ndërsa theksoi se për BE-në dy janë vijat e kuqe të panegociueshme: linjëzimi gjeopolitik dhe reformat e qëndrueshme në sundimin e ligjit dhe ekonomi.
Ai vuri në dukje se Plani i Rritjes Ekonomike i prezantuar nga Komisioni nuk mjafton për të ndryshuar trajektoren zhvillimore të Ballkanit dhe për të afruar rajonin me nivelin e BE-së. Sipas tij, ndihma financiare për frymë është disa herë më e ulët se ajo që marrin vendet anëtare.
Duke iu referuar ndalesës së von der Leyen në Tiranë, Bushati thekson se ajo shmangu kurthin e propagandës së tapetit të kuq, por gjithsesi nuk arriti të përçojë shpresë të vërtetë për qytetarët.
“Shpresa nuk lind nga protokollet, por nga një premtim i besueshëm i anëtarësimit, mbështetje reale për reforma dhe ndihmë për të zbutur hendekun zhvillimor me BE-në”, shkruan Bushati.