Në seancën plenare, Sali Berisha ngriti shqetësimin për ndikimin shkatërrimtar të parave të drogës në ekonominë shqiptare. Ai theksoi se këto para, që sipas të dhënave arrijnë deri në 6 miliardë lekë dhe hyjnë në vend me mjete të ndryshme, po shkatërrojnë kursimet e familjeve shqiptare dhe stabilitetin e shtetit.
“Sot kemi dy kërcënues të mëdhenj në financat familjare dhe të shtetit: paratë e drogës dhe korrupsioni në ndërtim. Paratë e drogës hyjnë në Shqipëri me çdo mënyrë të mundshme me avionë, makina të vogla, nëndetëse, kontejnerë dhe me një të rënë të lapsit, zhvlerësojnë kursimet e qytetarëve me 30%,” tha Berisha.
Ai paralajmëroi se “Euro në Shqipëri sot shtypet nga narko-euro, duke sjellë falimentimin e biznesmenëve të ndershëm që tregtojnë me valutë.”
Duke folur për ekonominë e ndërtimit, Berisha tha se 80% e fondeve në këtë sektor vijnë nga burime të dyshimta, ndërsa vetëm 20% nga bankat, duke evidentuar kullat e ndërtuara me paratë e drogës dhe korrupsionit.
“Janë mbi 56 mijë apartamente bosh, me çmime të larta, të paarritshme për shumicën e shqiptarëve. Kjo është ekonomia e narkoshtetit që po e fundos vendin,” përfundoi ai.








