Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të bëjë gjithçka për të kthyer trupat e pengjeve që ndodhen ende në Gaza. Ai është shprehur se lufta kundër Hamasit nuk do të ndalet dhe se vendi i tij do të veprojë me “forcë të plotë”.
Deklarata e Netanyahut erdhi pasi Hamasi dorëzoi trupat e dy pengjeve të tjera. Megjithatë, grupi palestinez tha se nuk ka pasur mundësi të gjejë trupat e 19 personave të tjerë.
Në Izrael, kjo ka shkaktuar reagime, pasi shumë qytetarë mendojnë se Hamasi nuk po e respekton marrëveshjen e fundit për armëpushim. Nga ana tjetër, Hamasi ka thënë se është ende i përkushtuar ndaj armëpushimit dhe është i gatshëm të dorëzojë të gjitha trupat, por sipas tyre, puna për gjetjen e tyre është vështirësuar pasi Izraeli nuk po lejon makineri të rënda në Gaza.
Pamje të publikuara nga Al Jazeera tregojnë militantë të Hamasit që po ruajnë buldozerë teksa gërmojnë gjatë natës në qytetin Khan Younis, në përpjekje për të zbuluar trupat e mbetura.
Situata mbetet e ndërlikuar dhe ende ka shumë pasiguri për fatin e pengjeve të mbetura në Gaza.