Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë sot në rundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në të gjitha 80 komunat, plus në Qytetin e Shkupit.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 31 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 15:00.
Votimi filloi në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00. Më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para.
Një anëtar i këshillit zgjedhor është arrestuar sot në vendvotimin nr. 2938, në ambientet e Shkollës fillore “Imri Elezi” në komunën e Çairit.
Sipas mediave shqiptare në Maqedoni arrestimi ka ndodhur gjatë një pauze, në momentin kur personi i përfshirë kishte dalë jashtë për të pirë një cigare.
Kryetari i komisionit zgjedhor në këtë vendvotim ka deklaruar se nuk ka ende informacion zyrtar për arsyet e arrestimit, ndërsa procesi i votimit ka vazhduar normalisht.
Autoritetet kompetente pritet të japin detaje në orët në vijim.









