Ushtria izraelite njoftoi se kishte nisur një valë të re sulmesh në Rafah, në sektorin jugor të Rripit të Gazës, pas bombardimeve të para në të njëjtën zonë më herët sot, duke pretenduar se kjo ishte një përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit, të cilat organizata palestineze i mohoi.
“Në përgjigje të shkeljes flagrante të marrëveshjes së armëpushimit më herët sot”, ushtria izraelite “nisi një seri sulmesh kundër objektivave terroriste të Hamasit në pjesën jugore të Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratën e ushtrisë, ndërsa Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit që ka qenë në fuqi që nga 10 tetori.
Sipas dëshmisë së një gazetari të AFP-së, sulmet izraelite u drejtuan në anën lindore të Khan Yunis, në sektorin jugor të enklavës palestineze.
Më parë, Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e kishte paralajmëruar Hamasin se do të paguante një “çmim të madh” për “çdo sulm” që synon ushtarët izraelitë dhe për “çdo shkelje të armëpushimit në Gaza”.
“Hamasi do ta mësojë me vështirësi sot se ushtria izraelite është e vendosur të mbrojë ushtarët e saj dhe të parandalojë çdo dëm që t’u ndodhë atyre”, theksoi Katz.
Vlen të përmendet se Izraeli kreu gjithashtu sulme ajrore në mëngjes në përgjigje të sulmeve nga “terroristët” kundër pozicioneve të tyre.