Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Brendshme, Albana Koçiu njoftuan sot projektin e ri që pritet që të marrë jetë së shpejti dhe që lidhet me identitetin dixhital. Nga fillimi i vitit 2026, qytetarët do të pajisen me një Identitet Dixhital, një portofol virtual në telefon që do të përfshijë të gjithë dokumentet personale si karta e identitetit, leja e drejtimit, diploma apo certifikata të ndryshme.
Por si do të bëhet kjo? Kreu i qeverisë e cilësoi si një instrument të domosdoshëm për të realizuar kalimin nga para cash në transaksione dixhitale, duke sjellë më shumë siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin si dhe do të luftojë informalitetin.
“Është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin tonë të kalimit nga para cash në transaksionet dixhitale dhe kjo domethënë shumë më tepër siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin dhe të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit e trukeve të ndryshme që do të reduktohen maksimalisht dhe asgjesohen plotësisht falë transaksioneve dixhitale që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”, shtoi ai.
“Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon. Në xhepin e kujtdo, kudo që është, nga Tirana, deri në skajin më të largët. Aty, me një klikim, janë të gjitha dokumentet personale: karta e identitetit, leja e drejtimit të automjetit, diploma – gati pë ti përdorur kudo, në çdo vend të Europës.
Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment. Me këtë portofol, çdo qytetar mund të thotë: ‘Ky jam unë.’ Në sekonda. Pa letra. Pa radhë. Pa vonesa. Në bankë, te noteri, në zyrat publike, me disa klikime, pa dokumente që humbasin apo firmosen disa herë.
Për shtetin, kjo do të thotë shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, më pak burokraci, më shumë transparencë. Për biznesin, do të thotë më shumë besim, më shumë efikasitet. Identiteti digjital lidhet me biometrinë, me njohjen e fytyrës, me gjurmët e gishtave, me nënshkrimin elektronik” tha ministrja e Brendshme.








