Gjykimi special në Hagës i Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jo vetëm një sfidë juridike, por edhe një betejë për narrativën morale të Luftës së Kosovës. Ai ngre pikëpyetje thelbësore mbi mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare po e zbaton parimin e “përgjegjësisë së komandës”. Ky parim lindi në Nurenberg kundër nazistëve, në një kontekst krejt të ndryshëm historik dhe etik.
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjyqet e Nurenbergut vendosën një standard të ri gjykimi. Komandantët nuk mund të justifikohen me faktin që thjesht “zbatuan ligjin” apo me padijen për krimet e vartësve të tyre. Ata mbajnë përgjegjësi, nëse e dinin ose duhej që ta dinin se krimet po kryheshin, dhe nuk morën masa për t’i parandaluar. Ky parim u vendos në themelet e së drejtës penale ndërkombëtare. Ai u përfshi në statutet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, për Ruandën dhe në Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Por aplikimi i këtij standardi kërkon një element thelbësor. Ai kërkon një strukturë komandimi të qartë dhe efektive. Disiplinë dhe përgjegjësi shtetërore. Pikërisht këtu qëndron dilema në rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi.
Ekziston një dallim thelbësor mes këtij kazusi dhe atyre të Nurenbergut apo Millosheviçit. Komandantët nazist e serb, kishin një aparat shtetëror represiv të mirë organizuar. UÇK ishte një ushtri pa shtet. UÇK nuk ishte një forcë e armatosur klasike. UÇK ishte pa një strukturë të qartë hierarkike, pa një zinxhir formal komande të dokumentuar.
UÇK-ja u farkëtua në kudhrën e flakëve të luftës për liri. Ajo u ngjiz në kulmin e gjenocidit serb, me qëllimin fisnik për të mbrojtur popullatën civile shqiptare, nga masakrimi i pamëshirshëm i aparatit shtetëror serb. Ajo ishte një lëvizje guerile që veproi në kushtet e një pushtimi ushtarak. Struktura e saj ishte e fragmentuar dhe komunikimi ishte i vështirë. Prandaj, përgjegjësia e Thaçit si “komandant politik” është më shumë e natyrës simbolike sesa juridikisht e dokumentuar.
Ndërkohë, prokuroria speciale në Hagë po e trajton sikur ai të kishte pasur kontroll të plotë shtetëror. Ndërsa në realitet, UÇK ishte një organizëm luftarak i decentralizuar. Autoriteti ishte i shpërndarë dhe kishte shumë zona autonome.
Në këto rrethana, është e vështirë që të provohet se Thaçi ka pasur kontroll efektiv mbi çdo akt apo veprim individual luftarak. Dhe pikërisht ky është standardi që e dallon drejtësinë penale nga përgjegjësia morale. Drejtësi nuk do të thotë barazi artificiale përpara ligjit.
Drejtësia përpiqet që të mos bëjë dallime mes fitimtarëve dhe humbësve. Por në rastin e Kosovës, ky neutralitet është bërë asimetrik. Serbia është një agresore, tashmë e mirë provuar. Por, krimet e saj mizore kundër civilëve, janë ndëshkuar me dënime selektive. Serbia akoma nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për masakrat e saj në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Pavarësisht, se ishin ata që rikthyen në mes të Europës, krimet dhe masakrat naziste.
Ndërsa, pala që u ngrit për lirinë gjendet sot në bankën e të akuzuarve. Ky është një barazim moral i rrezikshëm. Kjo është një përpjekje për të rishkruar historinë, duke vendosur shenjën e barazisë midis agresorit dhe viktimës.
Procesi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, duket më tepër si një përpjekje për të ruajtur simetrinë formale të drejtësisë, sesa për të zbatuar parimet e saj të vërteta. Ligji është mjeti dhe drejtësia ideali. Ky ideal duhet që ti bashkojë njerëzit, jo ti përçajë. Kosova dhe i gjithë rajoni ka sot nevojë për unitet, jo ndasi. Drejtësia pa kontekst humbet kuptimin. Drejtësia është një ideal në mbrojtje të njerëzimit, jo një instrument qetësimi tensionesh të diplomacisë rajonale.
Në realitet, ky gjykim është një gurë prove për vetë parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon drejtësia penale ndërkombëtare. Gjykata po zbaton një standard të përgjegjësisë penale ndërkombëtare të aplikuar mbi aktorët shtetëror, mbi një lëvizje çlirimtare jo-shtetërore.
Ky fakt krijon një dilemë etiko-morale. A mund që të trajtohet një luftë çlirimtare me të njëjtat kritere si një regjim shtypës? A rrezikon ky proces moralin e luftës çlirimtare, duke vendosur në të njëjtin plan agresorin dhe viktimën? Ekziston një dallim thelbësor midis atyre që luftojnë për të nënshtruar dhe atyre që luftojnë për të çliruar. Atyre që luftojnë për liri dhe atyre që luftojnë për pushtim. Nuk mund të barazohet rebelizmi për lirinë me tiraninë e pushtuesit. Drejtësia ndërkombëtare nuk mundet dhe nuk duhet që të jetë moralisht e verbër.
Pyetja që shtrohet këtu natyrshëm është: A ka pasur drejtësi për krimet serbe Kosovë? A është vendosur drejtësi për ato qindra masakra mbi popullatën civile shqiptare, mbi fëmijët, gratë dhe pleqtë, për qindra varre masive, për mijëra civil të pafajshëm të vrarë, për qindra mijëra të shpërngulur, për mijëra civil të zhdukur dhe akoma pa një gur varri?
Ku është forca e drejtësisë ndërkombëtare këtu!? Për aq kohë sa kambanat e drejtësisë ndërkombëtare vazhdojnë që të kumbojnë, shpirti i atyre mijëra viktimave të pafajshme të gjenocidit serb nuk ka për të gjetur paqen e merituar. Ky është një gur i rëndë mbi ndërgjegjen e botës mbarë.
NATO ndërhyri në Kosovë për arsye humanitare. Ajo përkrahu UÇK-në, në luftën e saj të drejtë, duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja. NATO me ndërhyrjen e saj mbrojti parimin e humanizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pavarësisht arsyeve se pse, ky gjykim po vijon pas njëzetë e gjashtë viteve nga përfundimi i luftës, ne nuk duhet që të harrojmë se në Hagë nuk po gjykohen individualisht vetëm ish-krerët e UÇK-së. Aty po gjykohet një epokë, një ideal, një përpjekje kombëtare për liri. Aty po gjykohet një luftë çlirimtare që korrigjoi një padrejtësi historike. Nëse gjykata nuk arrin që ta dallojë këtë dimension të drejtësisë, ajo rrezikon që të përsërisë një gabim historik, duke barazuar rebelizmin me tiraninë.