Në kuadër të konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, deputeti Damian Gjiknuri deklaroi se pritet që shumë shpejt të miratohet në Kuvend komisioni për Reformën Zgjedhore. Ai theksoi rëndësinë e përfaqësimit të balancuar dhe gjithëpërfshirës në këtë proces.
“Jemi përpara faktit që shumë shpejt do të fillojmë një Reformë të re Zgjedhore dhe jam i bindur që në ditët në vijim Kuvendi do të miratojë një komision të përbashkët, në traditën e asaj që kemi pasur – me konsensus, me bashkëkryesim dhe një dëshirë për të gjetur dakordësi për shumë probleme,” u shpreh Gjiknuri.
Ai bëri të ditur se është rënë dakord që në këtë komision të ketë përfaqësim të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe pjesëmarrje nga partitë e vogla që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare, por me kujdes për të ruajtur ekuilibrin shumicë–pakicë.
Ndër çështjet që pritet të adresohen janë edhe ato të rekomanduara nga OSBE/ODIHR, si financimet gjatë fushatave zgjedhore.
Duke vlerësuar mbështetjen e Komisionit të Venecias, Gjiknuri shtoi:
“Fakti që ne, pas çdo palë zgjedhjesh, kryejmë reformë zgjedhore, apo i drejtohemi Venecias për çështje të ndryshme, tregon se si pacientë nuk vetëshërohemi, por kërkojmë gjithnjë një mjek.”









