Pas përfundimit të numërimit të votave me postë nga jashtë Kosovës, ka nisur rinumërimi në disa vendvotime dhe numërimi i votave me kusht për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kjo fazë u nis të martën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Rinumërime po zhvillohen në tri komuna, përfshirë dy vendvotime në Mitrovicën e Jugut, ku kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, do të përballen në balotazh më 9 nëntor, pas një gare të ngushtë pa fitues të qartë në raundin e parë. Një vendvotim do të rinumërohet edhe në Kamenicë dhe një tjetër në Podujevë, ku kandidatët e LVV-së kanë fituar bindshëm.
KQZ njoftoi gjithashtu se ka nisur numërimi i 2.119 zarfeve me vota me kusht dhe po procesohen edhe votat e 3.467 personave me nevoja të veçanta, të cilët votuan përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 12 tetorit kanë marrë pjesë rreth 39.58% e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit. Në 21 komuna u zgjodh kryetari në raundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë kryeqytetin Prishtinë, do të mbahet raundi i dytë më 9 nëntor. Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë balotazh, ndërsa në të tjerat ka fituar Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit.








