Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos deklaroi se nuk ka krizë sigurie në Kosovë. Ai deklaroi se UNMIK-u ka humbur funksionin e tij fillestar dhe tashmë është bërë “një mision paqeruajtës pa paqeruajtës”.
Përfaqësuesi amerikan bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen e ndërsjellë si qëllim përfundimtar.
Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar, Jennifer MacNaughtan theksoi se Londra mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.
“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës” deklaroi ajo.









